/ Politikë

Rekord pengmarrjeje në 35-vjetorin e PS

|Nga: Redaksia Lemza
Rekord pengmarrjeje në 35-vjetorin e PS

TIRANË — 12 Qershori i 2026-s do të mbahet mend për operacionin më të madh të pengmarrjes në historinë e Evropës. 

Teksa në Bulevardin e Dëshmorëve të Kombit protesta qytetare ka hyrë në ditën e 13-të, vetëm pak metra më tutje, në Sheshin “Italia”, dhjetëra mijëra punonjës të administratës shtetërore janë rreshtuar për të “festuar” 35-vjetorin e Partisë Socialiste nën masa të rrepta shantazhi.

Dëshmitarët nga vendngjarja raportojnë se entuziazmi është tërësisht i detyrueshëm.

“Kush kapet nga regjia qendrore duke gogësitur apo duke parë orën, do t’i mbahet 20% nga rroga e muajit! Qeshni me zë të lartë kur të flasë Kryeministri, ndryshe e-Albania do t’ju fshijë emrin nga regjistri i gjendjes civile që nesër në mëngjes. Gëzuar ditëlindjen e Partisë, o të dënuar me rrogë shteti!” dëgjohet të ulërasë në megafon një drejtoreshë e Rilindjes.

Qindra autobusë të ardhur nga rrethet shkarkuan në Sheshin “Italia” mësues, infermierë dhe punonjës të ujësjellësit, me sytë plot lot (nga gëzimi për Liderin dhe Partinë, sigurisht).

Për të mos lejuar asnjë dezertim rrugës, qeveria mësohet se ka marrë masa ekstreme. Dyert e autobusëve ishin kyçur nga jashtë me dryn dhe u hapën vetëm pasi mjeti u parkua fiks pas furgonit të regjisë në Sheshin “Italia”.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon