TIRANË — E ndodhur nën presionin e vazhdueshëm të ndjekësve dhe akuzave se argumentet e saj ishin infantile dhe pa nivel, deputetja e mazhorancës, Zegjine Çaushi, ka luajtur sot “asin nën mëngë”. Pasi postimi i diplomës së Juridikut nuk pati efektin e pritur për të mposhtur blogeren Dea Mishel, socialistja ka vendosur të nxjerrë artilerinë e rëndë të dokumentacionit: Kartën e pikëve nga supermarketi i lagjes.
Përmes një postimi në Facebook, Çaushi prezantoi pikët e grumbulluara si provën përfundimtare të vlerave të saj morale, qytetare dhe ekonomike.
Me një gjuhë edhe më të ashpër, deputetja shpjegoi pse kjo kartë tregon superioritetin e saj ndaj kujtdo që ka marrë pjesë në një reality show.
“Dëgjo këtu ti copë mishi,” e nisi postimin Çaushi. “Këto pikë nuk m’i ka falur Edi Rama dhe as nuk i kam fituar duke bërë si idiote në Big Brother! Këto janë pikë të fituara duke blerë vaj luledielli në ofertë, djathë me pak yndyrë dhe detergjentë rrobash me ulje. A ke ti kartë pikësh? S’ke! Kështu që mbylle gojën.”
Në postim, deputetja shpjegonte me një detaje se si çdo 1000 lekë të shpenzuara i jepnin 10 pikë, duke qenë më afër se kurrë një seti me tenxhere inoksi dhuratë.
Debati pritet të përshkallëzohet ditët në vijim. Burime pranë deputetes Çaushi paralajmërojnë se ajo po përgatit publikimin e abonesë së urbanit, për t’i dhënë goditjen fatale debatit më intelektual të vitit.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.