PRISHTINË — Sistemi shëndetësor dhe ai politik në Kosovë janë në gatishmëri të lartë këtë mëngjes.
Kryeministri Albin Kurti është dërguar me urgjencë në QKUK, si pasojë e një overdoze të rëndë zgjedhjesh të parakohshme.
Mjeku kujdestar në QKUK, i cili po mbikëqyr terapinë intensive të Kryeministrit, shpjegoi për Lemza News dinamikën mjekësore të kësaj varësie të rrallë politike.
“Zoti Kurti ka zhvilluar një tolerancë të frikshme ndaj fushatave elektorale,” deklaroi mjeku Lumadh Krasniqi. “Normalisht, një politikan i zakonshëm e merr dozën e zgjedhjeve një herë në katër vjet. Por metabolizmi i zotit Kurti është ndryshe. Pas muajit të gjashtë në pushtet pa shpërndarë Kuvendin, atij i fillon kriza e abstinencës. Në gjak i gjetëm sasi alarmante mitingjesh, 80% retorikë për ndryshim dhe një nevojë patologjike për të rrëzuar qeverinë, edhe kur qeveria është e tija! Trupi i tij e refuzon të hyjë në vitin e tretë të një mandati.”
Mjekët raportojnë se gjatë natës i kanë dhënë qetësues në formën e “takimeve të mërzitshme me sindikatat”, por kjo vetëm sa e ka acaruar pacientin. Ai ka kërkuar vazhdimisht t’i injektojnë një mocion mosbesimi direkt në venë për t’u qetësuar.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.