/ Politikë
/ Shkencë

Besohej si specie e zhdukur / Presidenti i Republikës rishfaqet në natyrë

|Nga: Redaksia Lemza
Besohej si specie e zhdukur / Presidenti i Republikës rishfaqet në natyrë

TIRANË — Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, duke detyruar shkencëtarët ta klasifikonin si specie të zhdukur, Presidenti i Republikës është fotografuar i gjallë në habitatin e tij natyror.

Lajmi u konfirmua nga një grup vëzhguesish të cilët po patrullonin zonën përreth Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Biologu i njohur i specieve në rrezik zhdukje, Dino Papavogli, ishte dhe drejtuesi i ekspeditës së zbulimit. 

“Kishim ngritur çadra prej javësh dhe po vëzhgonim me dylbi,” tregoi ai i emocionuar. “Fillimisht pikasëm një si hije pas perdeve të Presidencës. Më vonë, ai doli në kopsht. Ishte një pamje madhështore. Mendonim se specia e tij ishte zhdukur me kohë, por ja tek e kishim. Lëvizte ngadalë dhe me kujdes, që mos tërhiqte vëmendjen e grabitqarëve alfa të Kryeministrisë. Qëndroi disa minuta në diell dhe u zhduk sërish me shpejtësi prapa shkurreve dekorative.”

Sipas ekspertëve, kjo specie arrin të mbijetojë duke hyrë në një formë letargjie ekstreme sapo fillojnë debatet publike apo krizat e thella sociale.

Studimet e fundit tregojnë se varianti aktual i Presidentit të Republikës (Presidentus Albaniaensis) ka pësuar një evolucion drastik krahasuar me paraardhësit e tij në dekadat e kaluara.

Ndryshe nga speciet e vjetra që ushqeheshin me kthime ligjesh dhe përplasje të ashpra në Gjykatën Kushtetuese, varianti i ri është plotësisht herbivor. Ai ushqehet pothuajse ekskluzivisht me dekrete të gatshme të lëna te dera dhe me ceremoni për ndarje titujsh “Mjeshtër i Madh”.

Për t’u siguruar që nuk do ta humbasin sërish nga sytë, një ekip inxhinierësh po planifikojnë ta pajisin fshehurazi me një gjurmues GPS në jakën e xhaketës.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon