/ Politikë

Rama: Protestat po nxiten nga forcat armike të qeverisë sime arrogante dhe hajdute

|Nga: Redaksia Lemza
Rama: Protestat po nxiten nga forcat armike të qeverisë sime arrogante dhe hajdute

TIRANË — KM Edi Rama ka dalë sot në një konferencë për shtyp për të dekonspiruar përfundimisht organizatorët e “Revolucionit të Flamingove”. Pasi shteroi të gjitha narrativat për financime nga Greqia, Islami Radikal apo zyrtarë të Reuters me targa serbe, kreu i qeverisë drejtoi gishtin nga fajtori i vetëm dhe i padiskutueshëm: forcat e errëta armike të qeverisë së tij.

Sipas tij, revolta masive në bulevard nuk është një lëvizje spontane qytetare, por një rebelim i sinqertë i sponsorizuar nga korrupsioni dhe arroganca e përditshme e qeverisë. KM theksoi se asnjë shërbim i huaj inteligjence nuk ka kapacitetin për të prodhuar kaq shumë indinjatë kombëtare se sa vetë babëzia e ushtrisë me hajdutë që drejton prej 13 vjetësh.

“Kemi javë që kërkojmë armikun e jashtëm, aq sa harruam këtë të brendshmin,” deklaroi kreu i shtetit. “E dini fare mirë se kush ju nxori në shesh. Forcat e armike të qeverisë sime! Ne! Me arrogancën tonë të fëlliqur, me tendencën kronike për t’i falur çdo copë bregdeti oligarkëve dhe me pafytyrësinë me të cilën ua shpjegojmë këtë në televizor. Po të mos ishim ne kaq të pangopur e kaq hajdutë, ju sot do ishit duke vrarë kohën në TikTok. Ne jemi motori i vërtetë i shoqërisë civile!”

Në mbyllje të fjalës së tij, Rama u kujtoi protestuesve se të mbash një nivel kaq të lartë arrogance institucionale kërkon punë të palodhur dhe koordinim nga të gjitha ministritë.

“Mos u bëni mosmirënjohës,” paralajmëroi Rama. “Nëse nuk na jepni meritat si sponsorë gjeneralë të kësaj katrahure, ju betohem që nesër shkarkoj të gjithë drejtorët e korruptuar, anuloj koncesionet dhe filloj zbatoj ligjin me përpikëri! Të shohim pastaj se me çfarë do merreni në fundjavë, o qafirë!”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon