TIRANË — Universitetit Bujqësor i Tiranës ka publikuar sot një studim revolucionar që pritet të ndryshojë përgjithmonë qasjen ndaj blegtorisë dhe zhvillimit rural në vend.
Sipas një eksperimenti kryer 12 ditët e fundit në disa ferma pilot, lopët shqiptare shënojnë një rritje prej 40% në prodhimin e qumështit kur u vendoset në sfond live stream nga protestat qytetare në Bulevard.
Ekspertët theksojnë se thirrjet tërë mllef për burgosje të elitës politike dhe oligarkike të vendit stimulojnë drejtpërdrejtë gjëndrat e laktacionit te gjedhët e post tranzicionit.
Shefja e departamentit të zooteknisë, Tamara Hupsi, e cila drejtoi studimin, shpjegoi se si protesta ndikon te bagëtitë e qumështit.
“Lopët janë mësuar me Mozartin dhe Bethovenin, nuk u bëjnë më përshtypje,” shpjegoi ajo. “Por kur dëgjojnë zhurmë protestash dhe fyerje politike, atyre u rritet adrenalina, dhe prodhojnë 40% më shumë qumësht. Madje, kemi vënë re se ritmi i përtypjes së tyre sinkronizohet në mënyrë perfekte me daullet e Revolucionit të Flamingove.”
Ky zbulim ka sjellë një sërë risish në prodhimin dhe shitjen e bulmetit, duke filluar që nga instalimi i staneve në mes të bulevardit dhe deri te etiketimi i qumështit të mjelë gjatë orëve të protestës si produkt Flamingo Certified.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.