/ Shëndeti

9 në 10 dentistë rekomandojnë të marrësh pjesë në protestë

|Nga: Redaksia Lemza
9 në 10 dentistë rekomandojnë të marrësh pjesë në protestë

TIRANË — Një raport i fundit nga Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë ka përmbysur gjithçka që dinim për kujdesin ndaj dhëmbëve. 

Duke lënë pas fushatat e vjetra për furçat elektrike me qime të buta dhe përdorimin e fillit dentar, ekspertët e mjekësisë tani sugjerojnë se asgjë nuk e pastron zgavrën e gojës më mirë sesa ekspozimi i drejtpërdrejtë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë “Revolucionit të Flamingove”.

Gjatë prezantimit të gjetjeve, kreu i bordit kërkimor shpjegoi se kushtet ekstreme të një proteste anti-qeveritare ofrojnë benefite unike për smaltin e dhëmbëve, të cilat nuk mund të arrihen as me shpëlarësit më të shtrenjtë farmaceutikë.

“Kemi vënë re se kur një qytetar hap gojën në maksimum për të bërtitur me sa ka në kokë ‘Poshtë Qeveria!’, ai bën një tërheqje fantastike të ligamenteve periodontale,” shpjegoi stomatologu Timo Vula. “Por magjia e vërtetë ndodh kur ndërhyn policia. Uji me presion nga autobotet dezinfekton thellë xhepat e mishrave të dhëmbëve dhe eliminon menjëherë erën e keqe të gojës.”

Përtej higjienës, studimi thekson edhe avantazhet e  pjesëmarrjes në protestë për pacientët me probleme kirurgjikale.

Ekspertët sugjerojnë se qytetarët që vuajnë nga dhëmballët e pjekurisë të dala shtrembër, mjafton të nisin sherr me patronazhistat e infiltruar për të kryer ekstraksion pa anestezi lokale.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon