TIRANË — Pasi u vu re duke ecur në këmbë mes mijëra protestuesve të indinjuar gjatë ditës së gjashtë të protestave, analizat rutinë të gjakut të Ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato treguan gjurmë shqetësuese të testosteronit dhe një ngurtësim të papritur të shtyllës kurrizore.
Për një diplomat të lartë ndërkombëtar në Shqipëri, ky klasifikohet si rreziku numër një profesional, pasi manuali i Brukselit kërkon mungesë absolute të sistemit skeletor për t’u përkulu përballë çdo skandali qeveritar në emër të stabilitetit.
Për të shmangur çdo keqkuptim me qeverinë, Delegacioni i BE-së lëshoi një deklaratë emergjente në orët e vona të natës, duke sqaruar se ambasadori ishte aty “thjesht si kalimtar” dhe se nuk duhet marrë si “zhvillim i papritur i burrërisë diplomatike.”
“Duam të qetësojmë institucionet shqiptare se Z. Gonzato nuk kishte asnjë qëllim të mbështeste të drejtat e qytetarëve apo të tregonte integritet,” lexohet në deklaratën të zëdhënësit të BE-së. “Ai po kthehej nga pazari dhe gabimisht preu rrugën mes protestuesve. Mjekët tanë konfirmojnë se rritja e testosteronit në gjakun e tij është thjesht një reaksion alergjik nga ekspozimi i padëshiruar në një ambient ku njerëzit, çuditërisht, po kërkonin llogari.”
Sipas mjekëve, niveli i lartë i guximit civil nuk prodhohet asnjëherë në trupin e një burokrati evropian, por në këtë rast u transmetua përmes rrugëve të frymëmarrjes.
“Gjatë atyre pak minutave që eci mes turmës, z. Gonzato thithi aksidentalisht oksigjenin e mbushur me indinjatë qytetare,” shpjegoi një mjek i ambasadës. “Kjo bëri që trupi i tij të pësonte një shok anafilaktik. Për tre minuta të plota, kurrizi i tij u drejtua dhe në gjak nisi t’i vërshonte testosteron i pastër.”
Për të fshirë çdo gjurmë të testosteronit dhe për të rikthyer formën e tij të mëparshme xhelatinoze, zyra e BE-së theksoi se Ambasadori Gonzato po i nënshtrohet një terapie intensive rehabilitimi.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.