TIRANË — Një 72-vjeçar ka kaluar një pasdite të pazakontë mbrëmjen e djeshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Xha Qemali, i sapo dalë nga shtëpia me portofolin në dorë dhe kartën e identitetit gati, ngatërroi grumbullimin masiv të qytetarëve me radhën për abonetë e urbanit.
Pavarësisht kordonëve të policisë dhe thirrjeve me megafon, i moshuari refuzoi të lëvizte nga pika e tij strategjike në rreshtin e tretë. Sipas pamjeve të siguruara nga kamerat e televizioneve, Xha Qemali dëgjohej duke qortuar protestuesit për mungesën e edukatës qytetare.
“Aman o djalë, boll bërtite, se nuk mbarojnë abonetë, ka Bashkia për të tërë,” është dëgjuar të thotë pensionisti me ton autoritar. “Po këtë tullumbace si rosë përse e ke marrë? Dini si mbahet radha apo s’dini?”
Madje, një moment ai goditi me bërryl një oficer, duke i bërtitur: “Ku futesh pa radhë ti me skafandër? Unë kam që në 5 të pasdites këtu!”
Në përfundim të protestës, kur sheshi u pastrua nga njerëzit, Xha Qemali mbeti i vetëm përballë godinës qeveritare. I prekur nga rezistenca e tij 5 orëshe dhe nga fakti që i moshuari refuzonte të dorëzohej pa marrë copën e kartonit, një oficer i policisë rrugore e mori mënjanë dhe i dhuroi abonenë e vet.
Xha Qemali u kthye në shtëpi si hero, duke i treguar gruas se këtë muaj “Bashkia i kishte ashpërsuar pak masat e radhës, por me ndonjë bërryl aty-këtu, çdo gjë zgjidhet”.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.